Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë lidhur me deklaratat e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Kurti gjatë një tubimi të shtunën në Prishtinë, dy ditë para fillimit të fushatës zyrtare për balotazhin e zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit, ka thënë se “s’do t’u jap para kryetarëve që s’dinë të punojnë apo që vjedhin”.
“Bordi i Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) shpreh keqardhje dhe shqetësim të thellë për deklaratat e fundit të z. Albin Kurti, Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, të cilat përmbajnë gjuhë fyese dhe paragjykuese ndaj kryetarëve të Komunave. Deklarata e z. Kurti se ‘nuk do t’u jap para Kryetarëve që nuk dinë të punojnë apo që vjedhin përbën jo vetëm një fyerje të drejtpërdrejtë për kryetarët e komunave dhe ata që janë në proces të zgjedhjes, të zgjedhur me votë të lirë, por edhe një cenim të parimeve themelore të barazisë institucionale dhe të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës. Që nga zgjedhjet lokale të vitit 2021 e deri më sot, asnjë kryetar komune nuk është me aktakuzë për vjedhje. Në anën tjetër, në nivel qendror ka raste të zyrtarëve, përfshirë edhe ministra apo zëvendësministra, ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Prandaj, përgjithësime të tilla pa bazë faktike dëmtojnë padrejtësisht imazhin e pushtetit lokal dhe besimin e qytetarëve në institucionet komunale”, thuhet në reagimin e AKK-së.
AKK-ja ka rikujtuar se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë zgjedhur kryetarë nga të gjitha subjektet politike, pa balotazh.
Ajo ka thënë se ndarja e buxhetit është çështje e rregulluar me ligje e jo çështje dëshire e as mundësi për konsum elektoral.
“Pra kjo është dëshmi e qartë e besimit të drejtpërdrejtë dhe të gjerë që qytetarët kanë ndaj udhëheqësve lokalë. Prandaj, është e arsyeshme të pyetet: a i përfshijnë deklaratat e Kryeministrit edhe këta kryetarë të zgjedhur që në raundin e parë, përfshirë edhe ata nga partia e VV-së? AKK-ja vlerëson se ndarja e buxhetit është çështje e rregulluar me ligje e jo çështje dëshire e as mundësi për konsum elektoral. Shumica e kryetarëve kanë qenë të pakënaqur me mënyrën e ndarjes së investimeve kapitale nga niveli qendror, të cilat bëhen nga ministritë e linjave. Këto investime nuk ndahen sipas formulave ligjore, ashtu siç ndahen grantet qeveritare, por sipas vendimeve politike dhe kritereve selektive, përfshirë ato partiake dhe etnike, duke krijuar pabarazi të dukshme mes komunave dhe duke cenuar parimin e trajtimit të barabartë. I nderuar z. Kurti, fondet publike janë të qytetarëve dhe ndahen për komunat sipas ligjeve në fuqi, jo sipas preferencave politike apo përkatësive etnike. Ato duhet të shpërndahen me kritere të qarta, të barabarta dhe transparente, në përputhje me ligjin dhe me frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional”, thuhet në reagim.
AKK-ja apelon për respekt institucional, dialog konstruktiv dhe bashkëpunim ndërmjet niveleve të qeverisjes, në funksion të forcimit të demokracisë lokale dhe përmbushjes së standardeve të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.
“Pushteti lokal nuk kërkon privilegje, por respektim të ligjit dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunat, pavarësisht përkatësive politike apo etnike”, thuhet nga AKK-ja.







