Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës, e cila do të fokusohet kryesisht në shpalljen dhe certifikimin e rezultateve të ndryshme zgjedhore.
Sipas njoftimit për media, mbledhja do të nisë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Prishtinë, Mamushë dhe në Junik.
Këto tri komuna nuk ishin përfshirë në shpalljen e rezultateve më 25 tetor, për shkak të ankesave që ishin dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) si edhe në Gjykatën Supreme.
Pas këtij procesi, KQZ-ja do të kalojë në certifikimin e rezultateve për zgjedhjet e kryetarëve të 35 komunave të tjera, rezultatet e të cilave ishin publikuar në mbledhjen e muajit tetor.
Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhjeje pritet të shpallen edhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për 38 kuvende komunale në vend./







