Ministrat e jashtëm të Gjermaninë, Jordanisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin në Sudan, duke përshkruar situatën në terren si “shumë të rëndë”.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmërojnë se milicia paraushtarake Rapid Support Forces (RSF) ka sulmuar qytetin el‑Fasher në rajonin verior të Darfurit, duke kryer ekzekutime të civilëve, sulme seksuale dhe spastrim etnik — përfshirë edhe vrasjen e më shumë se 450 personave në një maternitet. RSF-ja ka mohuar të gjitha akuzat për sulme ndaj spitalit, raporton AP.
Pamjet satelitore dhe videot që qarkullojnë tregojnë çfarë duket të jetë një masakër masive në qytet, ndërsa agjencia e refugjatëve të OKB-së (UNHCR) raporton se më shumë se 60,000 vetë janë larguar nga el-Fasheri, ndërsa mbi 150,000 persona mbeten të bllokuar në qytet në përballje me urinë dhe bombardime.







