Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në një takim mirëseardhës Ambasadorin e ri joresident të Australisë për Kosovë, Richard Rodgers.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, kryeministri Kurti dhe ambasadori Rodgers biseduan edhe për rreziqet që dezinformimi paraqet për shoqëritë tona dhe demokracinë, si dhe për domosdoshmërinë e trajtimit të tij. Gjithashtu, diskutuan edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me theks te Marrëveshja Bazike e dakorduar me 27 shkurt dhe Aneksi i saj me 18 mars. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti tha se ajo duhet të zbatohet e plotë, shpejt dhe pa kushtëzime.
Në njoftim thuhet po ashtu se në fillim të takimit, kryeministri shprehu falënderimin e tij, të shtetit dhe popullit të Kosovës për miqësinë, ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Australisë.
“Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për kontributin e Australisë për pranimin e 4000 refugjatëve në vitin 1999 dhe për përkrahjen e pandërprerë në fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar të Republikës së Kosovës përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Australia ishte shteti i 8-të që e njohu pavarësinë e Kosovës, vetëm një ditë pas shpalljes së saj”, citohet të ketë theksuar ai.
Ata folën edhe për raportet dypalëshe ndërmjet vendeve dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit, teksa kryeministri e njoftoi për progresin në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe demokratik në dy vitet e fundit.
Ambasadori Rodgers u shpreh se dy vendet ndajnë dëshirën e përbashkët për sundim të ligjit dhe dashurinë për demokraci dhe se pret qe puna e tij të jetë më lehtë për shkak të vlerave të njëjta që ndajmë.