Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se përfaqësuesit e VV-së do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që do të mbahet nesër.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu deklaroi se qëndrimi zyrtar i Vetëvendosjes do të bëhet publik gjatë takimit të nesërm.
“Nesër ne do të jemi në takimin e thirrur nga Presidentja Osmani. Nesër do ta japim qëndrimin e VV-së. Edhe një herë, qëndrimin në raport me këtë do ta japim nesër”, tha Haxhiu.
E pyetur për mungesën e votave për formimin e qeverisë, ajo u shpreh e bindur se Qeveria “Kurti 3” do të bëhet.
“Ajo do të bëhet, natyrisht që do të ketë qeveri Kurti 3”, theksoi Haxhiu.
Sa i përket nënshkrimeve të deputetëve, ajo sqaroi se deri më tani nuk ka firmosur asnjë dokument përveç atij që lidhet me formimin e grupeve parlamentare.
“Nuk ka nënshkrime. Unë në asnjë letër nuk kam vendosur nënshkrimin përveç në themelimin e grupeve parlamentare. Nëse do të ketë ndonjë veprim tjetër nga VV, do t’ju njoftoj. Deri tani kam vendosur nënshkrim vetëm për formimin e grupeve parlamentare”, tha ajo.
Haxhiu e bëri të qartë edhe qëndrimin e partisë ndaj idesë së një qeverie teknike, duke theksuar se Vetëvendosje nuk e mbështet një opsion të tillë.
“Nuk e përkrahim një qeveri teknike. Qytetarët e kanë vendosur, qytetarët e kanë votuar Kurtin. Në qoftë se nuk do të ketë numra, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Haxhiu.







