Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka marrë masa të reja për të ndalur rrjedhjet e vazhdueshme të informacionit nga brenda dhomës së zhveshjes drejt mediave, duke kërkuar më shumë disiplinë dhe konfidencialitet nga skuadra e tij.
Sipas “The Athletic”, stafi teknik i madrilenëve ka theksuar rëndësinë që dhoma e zhveshjes të mbetet “një hapësirë e sigurt”, ku çdo detaj i brendshëm të ruhet me diskrecion të plotë.
Këto masa vijnë pas një incidenti të ndodhur gjatë Kupës së Botës për Klube, kur përpara ndeshjes kundër Al-Hilal u zbulua se Alonso kishte planifikuar të aktivizonte nga minuta e parë Gonzalo Garcian. Pas kësaj ngjarjeje, trajneri spanjoll vendosi të mos i njoftojë më lojtarët për formacionin startues përpara kohe, për të shmangur çdo rrjedhje të mundshme informacioni.
Më herët, rrjedhje të tilla kishin detyruar klubin të publikonte formacionin zyrtar më shumë se dy orë para ndeshjeve – një praktikë jo e zakonshme për Real Madridin.
Raporti thekson se Alonso synon të krijojë një ambient të qetë, të mbyllur dhe me përgjegjësi të lartë, ku lojtarët ndihen të mbrojtur dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e ruajtjes së sekreteve taktike.







