Kolegji AAB

Dardan Morina bën hapin e madh, talenti kosovar firmos me Lokomotivën e Zagrebit

Një kapitull i ri ka nisur në karrierën e Dardan Morinës. Mesfushori kosovar është zyrtarisht futbollist i Lokomotivës së Zagrebit, duke kaluar te një nga klubet më të njohura të futbollit kroat.

20-vjeçari mbërrin në Kroaci pas aventurës me Dukagjinin, ku kontrata e tij u ndërpre, ndërsa tashmë ka bërë një hap të rëndësishëm përpara në karrierë, duke iu bashkuar një kampionati me traditë dhe nivel të lartë.

Lokomotiva e Zagrebit e ka prezantuar Morinën si një nga përforcimet më të reja të skuadrës, duke vlerësuar cilësitë teknike dhe potencialin e tij.

“Mesfushori i talentuar 20-vjeçar Dardan Morina ka nënshkruar kontratë profesionale. Ai është pjesë e Kosovës U21 dhe karakterizohet nga teknika e shkëlqyer, pasimi final dhe cilësitë që e bëjnë një nga talentet më premtues në brezin e ri të mesfushorëve”, thuhet në njoftimin e klubit kroat.

Vetë Morina nuk e ka fshehur entuziazmin për mundësinë e re që i është ofruar. Ai ka falënderuar klubin për besimin dhe ka premtuar përkushtim maksimal në çdo stërvitje dhe ndeshje.

“Jam shumë mirënjohës për besimin që më kanë dhënë dhe për mundësinë që të jem pjesë e këtij klubi. Që nga bisedat e para e ndjeva se njerëzit këtu besojnë tek unë dhe kjo ka shumë rëndësi për mua. Kam ardhur me dëshirë të madhe për të treguar vlerat e mia dhe për të dhënë maksimumin”, u shpreh Morina.

Mesfushori kosovar e sheh kampionatin kroat si një sfidë të rëndësishme në zhvillimin e tij.

“Liga e Kroacisë është shumë cilësore dhe për mua do të jetë një test i madh. E di që Lokomotiva është një skuadër me shumë kualitet dhe që çdo sezon arrin rezultate të mira. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe mezi pres të filloj këtë aventurë të re”, deklaroi ai.

Me këtë transferim, Dardan Morina synon të vazhdojë rritjen e tij dhe të dëshmojë se talentet nga Kosova mund të hapin rrugë drejt skenave më të mëdha evropiane.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA