Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot me ndeshjet e xhiros së 11-të, ku tri përballje interesante janë në program për t’u zhvilluar.
Vëmendja kryesore e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në Podujevë, aty ku takohen dy rivalët rajonal, Llapi dhe Prishtina.
Llapjanët janë rikthyer në formë pas një fillimi të dobët të kampionatit dhe synojnë ta mposhtin skuadrën kryeqytetase. Nga ana tjetër, Prishtina vjen me moral të lartë pas gjashtë fitoreve radhazi dhe kërkon të vazhdojë këtë seri mbresëlënëse.
Në formë të mirë është edhe kampioni në fuqi, Drita, e cila ka regjistruar katër fitore radhazi. Gjilanasit do të kërkojnë të pestën në udhëtim te Drenica, në Skënderaj. Vendasit, megjithatë, ndodhen në një periudhë të vështirë me katër humbje të njëpasnjëshme, dhe do të synojnë t’i japin fund kësaj serie negative.
Ndërkohë, në Ferizaj, skuadra vendase do të përballet me Prishtinën e Re, që aktualisht mban vendin e fundit në tabelë.
Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme nisin nga ora 13:00. /ATVLIVE.TV







