Në Shqipëri pak ditë më parë bëri bujë lajmi se volejbollistja e Dinamos, braziliania Nayara Ferreira ishte pezulluar dhe nga ana e Federatës Shqiptare të Volejbollit ishte kërkuar që ajo t’i nënshtrohej një ‘test gjinie’, pas ankesës së Vllaznisë dhe Pogradecit.
Një ngjarje e tillë është e paprecedentë në sportin shqiptar dhe vetë 32-vjeçarja është ndjerë e fyer, duke u ankuar në shoqatat e të drejtave për gratë apo edhe në ambasadën e Brazilit në Tiranës.
Vetë Nayara Ferreira ndihet e fyer dhe diskriminuar, duke kaluar një shok psikologjik. Veç testit te gjinekologu, asaj iu kërkua edhe ‘testi i gjinisë’, edhepse ka luajtur më parë në Spanjë, Çeki, Portugali apo edhe Finlandë.
Në lidhje me këtë situatë ka pasur reagime të ndryshme, teksa Klubi i Volejbollit Dinamo është dërguar drejt Disiplinës. Sipas një njoftimi nga Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV), disa drejtues të ‘Bluve’ do ‘hetohen’ për deklaratat në medie apo kanalet e komunikimit. FSHV thotë se është duke e trajtuar rastin sipas të gjitha specifikimeve statutore dhe në bashkëpunim të ngushtë me KOKSH dhe organizmat ndërkombëtare.
“Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit që lidhen me znj. N.F. dhe dëshiron të informojë opinionin publik, si dhe të gjithë të interesuarit, se FSHV disponon të gjithë dokumentacionin dhe korrespondencën përkatëse me ekipin Dinamo Volley, ndërkohë që është në pritje të përmbushjes së detyrimeve përkatëse ndaj komunitetit të volejbollit, në lidhje me zgjidhjen e këtij rasti.
Federata garanton se do të veprojë me transparencë të plotë në çdo hap të ndërmarrë gjatë këtij procesi, por njëkohësisht shpreh shqetësimin për përdorimin e këtij rasti, i cili është tërësisht sportiv, si pretekst për shkelje të të drejtave të individit apo të komuniteteve të caktuara.
FSHV ka zbatuar me rreptësi të gjitha procedurat ligjore dhe statutore, në bashkëpunim të ngushtë me KOKSh dhe partnerët e saj ndërkombëtarë — FIVB dhe CEV.
Bordi Drejtues i FSHV-së ka referuar pranë Komisionit të Disiplinës rastet e fyerjeve dhe intimidimeve publike të bëra nga disa eksponentë dhe drejtues të shoqatës Dinamo Volley, në media dhe rrjete sociale. Federata u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të vetëpërmbahen nga deklarata të pavërteta, dezinformuese apo dashakeqe, të cilat dëmtojnë partneritetin dhe bashkëpunimin institucional midis palëve.
Federata Shqiptare e Volejbollit rikujton se është organi përgjegjës për mbarëvajtjen, zhvillimin dhe organizimin e volejbollit në Shqipëri, dhe siguron të gjithë aktorët e përfshirë se do të vazhdojë të zbatojë me përpikmëri të gjitha detyrimet statutore dhe ligjore”, shkruan Federata në reagim. /ATVLIVE.TV







