Kombëtarja e Kosovës U18 po e zhvillon grumbullimin e radhës treditor në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Në këtë grumbullim po marrin pjesë 28 futbollistë, të cilët po punojnë nën drejtimin e stafit të trajnerëve të kësaj grupmoshe: Alban Dragusha, Erdin Hashani, Sheremet Isufi dhe Flamur Neziri.
Gjatë këtyre tri ditëve, përveç seancave stërvitore intensive, është paraparë edhe një ndeshje kontrolluese, ku futbollistët do të ndahen në dy ekipe, me qëllim të vlerësimit më të mirë të formës së secilit lojtar.
Trajneri Erdin Hashani theksoi rëndësinë e këtij grumbullimi për vazhdimësinë e punës me lojtarët e rinj nga kampionati vendor:
“Edhe këtë herë grumbullimin e kemi me lojtarë që janë nga kampionati vendor, ndërsa shpresojmë që në nëntor të realizojmë një grumbullim me futbollistë që luajnë jashtë Kosovës. Kemi përcjellë me kujdes këta futbollistë gjatë gjithë kohës dhe mendoj se ka shumë brum për të ardhmen. Ky grumbullim është i rëndësishëm për të mbajtur kontinuitetin dhe për të parë nga afër formën e secilit futbollist. Këtu, në fanellën e Kombëtares, emocionet janë ndryshe dhe kjo ndikon pozitivisht te lojtarët. Grupmosha U18 është urë lidhëse mes U17 dhe U19, prandaj synojmë të kemi sa më shumë grumbullime për t’ia lehtësuar punën edhe Kombëtares U19”, tha ai.
Ndërkaq, futbollisti Lorik Mehmeti u shpreh krenar për mundësinë që i është dhënë për të përfaqësuar Kosovën:
“Është kënaqësi dhe ndjenjë e fortë të bartësh këtë fanellë e të kontribuosh për shtetin tënd. Kushdo që e merr këtë mundësi duhet ta shfrytëzojë në maksimum. Jam shumë krenar dhe besoj se me punë të vazhdueshme do ta arrij qëllimin për të qenë pjesë e Kombëtares A”, tha ai.
Edhe bashkëlojtari i tij, Eldi Meholli, vlerësoi punën dhe përkushtimin gjatë këtij grumbullimi:
“Stërvitjet po shkojnë shumë mirë. Ky grumbullim është si një fazë parapërgatitore për gjeneratën U19, e cila do të marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese. Kalimi nga një grupmoshë në tjetrën është i rëndësishëm, por varet nga forma që tregojmë në klube. Forma e mirë të sjellë këtu. Normalisht, ëndrra e secilit prej nesh është të arrijmë te Kombëtarja A dhe për këtë do të vazhdojmë të punojmë fort”, tha ai.
Ky grumbullim është pjesë e planit të vazhdueshëm të FFK-së për zhvillimin e talenteve të rinj dhe përgatitjen e tyre drejt Kombëtares U19, por edhe Kombëtares U21 e Kombëtares A. /ATVLIVE.TV







