Roza Anagnosti, hir, talent dhe kujtesë e artit shqiptar
Ajo është një hir që koha nuk ka mundur ta zbehë. Edhe pas më shumë se tetë dekadash jetë, Roza Anagnosti mbetet po ajo figurë e ndritshme që i dha dritë skenës dhe ekranit shqiptar, një simbol i elegancës dhe forcës shpirtërore që i rezistoi çdo epoke. Me sytë plot dritë e zërin që ende ruan ngrohtësinë e dikurshme, ajo përfaqëson një brez artistësh që e ngritën artin shqiptar në një nivel të lartë shpirtëror e profesional.
E lindur më 27 tetor 1943 në Tiranë, Roza kaloi fëmijërinë në Shkodër, qyteti që do t’i jepte frymë artit të saj. Që në moshë të vogël, ajo shfaqi prirje për muzikë, vallëzim dhe interpretim, ndërsa mësuesit e saj e përshkruanin si “vajzë me ndjenjë skenike të lindur”. Megjithatë, rruga drejt artit nuk qe e lehtë. Për shkak të dënimit politik të të atit, Roza përjetoi vështirësi dhe padrejtësi, por nuk hoqi dorë nga ëndrra e saj. Në vitin 1965 u diplomua në degën e artit dramatik dhe që prej asaj kohe, emri i saj u bë sinonim i përkushtimit dhe pasionit artistik.
Hapat e parë në skenë i hodhi në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, me rolin e Nurijes në pjesën “Kunora e Nurijes”, ku talenti i saj u vu menjëherë re. Nga ajo ditë, ajo nuk u nda më nga skena. Me kalimin e viteve, Roza u shndërrua në një nga aktoret më të dashura e më të vlerësuara të kinematografisë shqiptare, duke interpretuar role që kanë hyrë në kujtesën kolektive, si te “Toka jonë”, “Detyrë e posaçme”, “Ndërgjegjja” apo “Fileja”. Ishte pikërisht gjatë xhirimeve të “Tokës sonë” që ajo njohu operatorin e ri Dhimitër Anagnosti – takimi që do të shënonte fillimin e një historie dashurie dhe bashkëpunimi artistik që do të zgjaste gjithë jetën.
Në kujtimet e saj, Roza tregon me ndjeshmëri për atë periudhë: “Në fund të xhirimeve të ‘Tokës sonë’ u fejuam me Dhimitrin. Aty nisi gjithçka, një jetë dhe një rrugëtim që nuk e ndava më as nga arti, as nga dashuria.”
Rolet e saj në teatër e film mbeten shembull i finesës, disiplinës dhe shpirtit artistik. Nga “Nora” te “Histori irkutase”, nga “Këneta” te “Përtej pragut”, ajo solli në skenë figura të grave të forta, të ndjeshme e të përkushtuara, duke u bërë frymëzim për breza të tërë artistësh.
Sot, Roza Anagnosti vazhdon të mbetet një emër që ngjall respekt dhe mall në kujtesën kolektive të publikut shqiptar. Ajo është dëshmi e gjallë e asaj që arti mund të arrijë kur përzihet me shpirt, sakrificë dhe dashuri të vërtetë për skenën. Në ditëlindjen e saj, kujtojmë me mirënjohje jo vetëm aktoren, por edhe njeriun që përmes rolit, dinjitetit dhe bukurisë, i dhuroi brezave ndjenjën e pastër të artit të vërtetë shqiptar.









