“El Clasico”-ja e parë e sezonit përfundoi me fitore të Real Madridit, që mposhti Barcelonën 2-1 në “Santiago Bernabeu”, në një përballje plot emocione dhe momente dramatike.
Madrilenët nisën më mirë takimin dhe pas vetëm pak minutash menduan se kishin kaluar në epërsi me Kylian Mbappen, por goli i tij u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje. Francezi megjithatë nuk u ndal, dhe në minutën e 22-të, pas një aksioni të bukur, realizoi golin e parë të ndeshjes.
Barcelona reagoi para fundit të pjesës së parë. Një kundërsulm i shpejtë i lejoi Fermin Lopezit të barazonte rezultatin pas asistimit të Marcus Rashford (38’).
Vetëm pesë minuta më vonë, Real Madridi riktheu avantazhin falë Jude Bellingham, që përfitoi nga një top i bukur i Eder Militao për të shënuar nga afër (43’).
Në pjesën e dytë, “Los Blancos” vazhduan të kërcënojnë portën kundërshtare. Mbappe humbi një penallti, ndërsa dy gola të tjerë – nga ai vetë dhe Bellingham – u anuluan sërish nga VAR për pozita jashtë loje.
Barcelona provoi të barazonte në minutat e fundit, por mbrojtja e Realit rezistoi me sukses. Në fund, Pedri mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja (90+10’).
Pas kësaj fitoreje, Real Madridi ngjitet në kuotën e 27 pikëve dhe largohet pesë pikë nga Barcelona, që mbetet e dyta me 22. /ATVLIVE.TV







