Ish-portieri i Real Madridit dhe i kombëtares së Spanjës, Iker Casillas, u bë viktimë e një grabitjeje në shtëpinë e tij, ku u zhdukën pesë orë të shtrenjta nga koleksioni i tij. Kriminelët kishin zëvendësuar gradualisht orët origjinale me të falsifikuara.
Casillas filloi të dyshonte kur vuri re mospërputhje dhe njoftoi policinë. Sipas COPE, forcave të rendit iu deshën vetëm dhjetë ditë për të identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit: një pastruese shtëpie nga Paraguai dhe një spanjoll që punonte si roje sigurie në kompleksin e banimit luksoz ku jeton Casillas. Hetuesit zbuluan se ata ishin në një lidhje dhe po planifikonin të largoheshin nga vendi.
Derisa hetimet vazhdojnë, autoritetet kanë arritur të rikuperojnë dy nga pesë orët e vjedhura, me vlerën e koleksionit që llogaritet në dhjetëra mijëra euro.
Gazetari Manu Marlasca, në programin El Programa de Ana Rosa, raportoi:
“Vetëm pak persona e dinin se ku ruheshin orët, përfshirë pastruesen e shtëpisë, e cila kishte punuar për Iker dhe Sara Carbonero që nga viti 2019. Partneri i saj, i cili punonte si roje sigurie në të njëjtin kompleks, duket të ketë qenë truri pas grabitjes. Policia gjeti disa orë të falsifikuara në shtëpinë e tyre, të përgatitura për shkëmbime të mëtejshme. Njëra origjinale u gjet plotësisht, së bashku me pjesë të të tjerave.” /ATVLIVE.TV







