spot_imgspot_img
spot_img

KQZ certifikon listën votuese dhe vendos numrin e fletëvotimeve për raundin e dytë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar Listën Votuese për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahet më 9 nëntor 2025. Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku u theksua se votimi i dytë organizohet në 18 komuna, bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 12 tetorit.

Komunat ku kandidatët për kryetarë do të përballen në balotazh janë: Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.

“Sipas kësaj liste, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve në këto 18 komuna është 1,346,397 votues. Ky numër, në krahasim me raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, është më i lartë për 543 votues”, bëhet e ditur në njoftim.

Nga Lista Votuese, rezulton se numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotimet e këtyre komunave është 1,316,672, ndërsa ata të regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës dhe që i takojnë këtyre komunave janë 29,725 votues.

“Kjo Listë Votuese brenda vendit, e raundit të dytë, është plotësuar me personat që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor 2025 arrijnë moshën e votimit, ndërkaq janë larguar personat që nga shtatori i këtij viti kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës apo që kanë ndërruar jetë”, theksohet në vendim.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 525 Qendra të Votimit me gjithsej 1,648 vendvotime, përfshirë 507 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 1,628 vendvotime dhe 18 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 20 vendvotime.

Gjithashtu, KQZ ka vendosur numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për raundin e dytë. “Sipas vendimit të KQZ-së, do të shtypen 1,158,015 fletëvotime, rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë”, thuhet në njoftim.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA