Fëmijët po tregojnë dëshirat e tyre për një mjedis më të mirë. Këta janë “Piktorët e Planetit” të cilët përmes vizatimeve e kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit.
Pikturat e fëmijëve nga një kopsht në Prishtinë janë realizuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.
Ky është një prej shumë aktiviteteve që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim me institucione të tjera, i kanë organizuar për të shënuar këtë ditë.
Bajram Kadriu nga zyra për komunikim e kësaj ministrie, thotë se ky aktivitet ndikon drejtpërdrejt në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve për çështje të mjedisit.
“Kemi marrë një seri aktivitetesh për shënimin e 5 qershorit, ditës botërore të mjedisit. Njëri ndër aktivitetet është me fëmijët nga një kopsht në Prishtinë dhe aktivitetet e tjera që jemi duke i zhvilluar, është edhe në Rahovec, pastrimi i lumit të Rahovecit, në Lipjan aktivitete të ndryshme, vizatime më fëmijë dhe mbjellje te fidanëve të ndryshme në tërë Kosovën…3:19 Ky aktivitet është i rëndësishëm duke pas parasysh që ndikon drejtpërdrejt në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe brezave të tjerë për çështje të mjedisit”, tha ai.
Aktiviteti është realizuar në bashkëpunim me organizatën INDEP.
Doruntina Beka Latifi, hulumtuese në këtë organizatë, thotë se “Piktorët e Planetit”, përmes vizatimeve shprehin dëshirat e tyre si e shohin mjedisin.
“Nuk është hera e parë që INDEP organizon aktivitete të tilla për Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit. Por, këtë vit së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe me Komunën e Prishtinës e kemi organizuar aktivitetin “Piktorët e Planetit”, me fëmijët e një kopshti, për të shprehur dëshirat e tyre se si e ata e shohin mjedisin dhe ta shprehin atë përmes vizatimeve”, tha Latifi.
Dita Ndërkombëtare e Mjedisit është shënuar edhe në komuna të tjera të Kosovës. /KP