Edhe gjashtë ditë na ndajnë nga fillimi i turneut të Tretë Ndërkombëtar të Karatesë “Prishtina Open 2023”, i cili organizohet në kuadër të klubit më të vjetër të karatesë “Prishtina”.
Ismail Fazliu, trajneri në klubin “Prishtina”, në një prononcim për ATV-në, tha, ashtu si në dy edicionet mëparshme, pret që edhe këtë vit të ketë një numër të madh të pjesëmarrësve.
“Turneun e kaluar kanë qenë 396 garues nga 41 klube të Kosovës dhe ka pasur nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi. Presim edhe sivjet një numër të tillë, ndoshta edhe më shumë, por sa do që të jenë, është me rëndësi që gara të jetë në nivelin e duhur sepse dy turnetë e para kanë qenë jashtëzakonisht mirë dhe bukur të organizuara, bile mund të krahasohen me garat më të mira në rajon që janë mbajtur”, tha Fazliu.
Ai tregoi se kësaj radhe, përkundër se kanë disa probleme me sallën sidomos, pasi që janë dëmtuar disa ulëse, do të përkujdesen që të gjithë pjesëmarrësit të ndihen komod dhe të kalojnë një ditë të mirë, sikur dy turnetë e kaluara.
“Ne jemi në vlugun e përgatitjeve. Para dy-tri ditëve kemi pasur një takim. E kemi zgjeruar ekipin dhe jemi bërë gati që ditën kur filloi përgatitja e sallës, të jemi sa më shumë, për shkak se këtu ka shumë aktivitete edhe salla duhet të jetë e përgatitur një ditë para turneut, pra më 10 në mbrëmje ose deri në mëngjes, sepse turneun e kaluar, deri në 5 të mëngjesit kemi punuar në rregullimin e sallës edhe punë tjera kemi filluar edhe më herët, përgatitja e medaljeve dhe shpërblimeve etj. Pak jemi të hendikepuar kësaj radhe kemi bërë kërkesë nga Komuna e Prishtinës, ende nuk e kemi marrë konfirmimin për përkrahje. Mandej, në Pallat, janë dëmtuar në ndeshjen e basketbollit që ka qenë janë dëmtuar disa ulëse. Ato nuk kemi mundësi t’i rregullojmë për një kohë të shpejtë, por ne do të bëjmë përpjekjet maksimale që të gjithë garuesit dhe shikuesit që vijnë, prindërit e tyre, që të jenë komod dhe të kalojnë një ditë të mirë, sikur dy turnetë e kaluara”, tha Fazliu. /atvlive.tv
Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: