Izraeli vazhdon të refuzojë hapjen e pikës së kalimit të Rafah-ut mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës, pavarësisht rrethanave urgjente humanitare në territorin palestinez.
Si pasojë, dhjetëra kamionë me ndihma jetike humanitare qëndrojnë të bllokuar në anën egjiptiane të kufirit, në pritje të lejimit të hyrjes në Gaza. Pamjet që vijnë nga terreni tregojnë kolonat e gjata të automjeteve të ngarkuara me ushqim, ilaçe dhe furnizime të tjera emergjente.
Kjo situatë ndodh në kundërshtim me planin e propozuar për armëpushim prej 20 pikash, i cili parasheh shpërndarjen e menjëhershme të ndihmave në Rripin e Gazës.
Ndërkohë, agjencia izraelite e ndihmës ushtarake, COGAT, ka deklaruar se pika e Rafah-ut nuk do të hapet, pasi ajo nuk është përfshirë në asnjë fazë të marrëveshjes së armëpushimit. Sipas deklaratës, ndihmat humanitare do të kalojnë vetëm përmes pikës së Kerem Shalom, e cila kontrollohet nga Izraeli dhe ku mallrat do t’i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë.
Më herët, autoritetet izraelite kishin paralajmëruar se pika e Rafah-ut mund të qëndrojë e mbyllur, ndërsa furnizimet me ndihmë mund të zvogëlohen, duke akuzuar Hamasin për vonesa në lirimin e trupave të pengjeve.