Thirrje pritet t’i bashkohen mijëra shqiptarë, të premten në Tiranë.
Kështu ka bërë të ditur, kreu i OVL – UÇK-së, Hysni Gucati, derisa dha detaje për protestën e së premtes që do të mbahet në kryeqytetin shqiptar, nga ora 17:00, në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Ne kemi gjete mbështetje edhe nga qyteti i Tiranës u.d, nga grupet parlamentare të partive të ndryshme në Shqipëri dhe nga vet qeveria e shtetit shqiptarë” shtoi ai.
Pjesëmarrjen në këtë protestë e ka konfirmuar edhe kryeministri Edi Rama. Ai po ashtu bëri thirrje që t’i bashkohen këtij organizimi.
Ndërkaq, fjalë rasti do të ketë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Po ashtu, drejt Shqipërisë do të nisen mbi 60 autobusë.
“Mbi 60 autobusë do të nisen nga vendet e ndryshme të Kosovës, pa i llogaritur ato të Maqedonisë edhe të Malit të Zi dhe Preshevës” tha Gucati.
Kjo protestë vjen pas asaj në Hagë, ku me mijëra qytetarë kanë kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit – të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.