Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Prishtinës, Fatmir Selimi, ka deklaruar se qasja ndaj kryeqytetit duhet të ndryshojë, duke e trajtuar Prishtinën si një qytet me specifika të veçanta që ndikon në gjithë vendin.
“Mendoj se qasja jonë duhet të jetë se Prishtina nuk është një qytet i thjeshtë, por është kryeqyteti i Kosovës dhe ka specifikat e veta, të cilat janë ndryshe nga qytetet tjera. Rëndësia e zhvillimit të këtij qyteti ndikon në krejt Kosovën,” deklaroi Selimi.
Një ndër prioritetet kryesore të tij është decentralizimi i qytetit.
“Një komunë nuk mund t’i menaxhojë e vetme 230 mijë banorë që figurojnë me letra. Decentralizimi do të mundësojë pjesëmarrje më të drejtpërdrejtë të qytetarëve, në mënyrë që të mos ndërtohen projekte që askush nuk i ka parë ose kërkuar,” tha ai.
Selimi propozoi që Prishtina të ketë 10 bashkësi lokale, të cilat do të ndihmojnë komunën dhe kryetarin në identifikimin dhe zbatimin e projekteve që janë prioritet për secilën lagje.
Nëse fiton garën për Prishtinën, ai tha se arsimimi dhe sporti do të jenë fusha të tjera kryesore të fokusit të tij.
Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.