Në vazhdën e fushatës zgjedhore, Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku ka zhvilluar sërë takimesh në bizneset lokale ku atyre u ka premtuar infrastrukturë dhe krijim të kushteve të punës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Në Vushtrri, kandidati për kryetar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli, banorëve të fshatit Samadrexh u premtoi ujë të pijshëm në çdo lagje, rrugë e trotuare, kanalizim funksional, mbështetje për bujqit e fermerët, e transport falas për nxënësit e shkollave të mesme.
Ndërkohë në Malishevë, kandidati Valon Hoti u zotua për përmirësimin e infrastrukturës, duke theksuar nevojën për kushte më të mira jetese për banorët e këtij lokaliteti.
Shpejtim Bulliqi kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të ri në Podujevë ndau pamje nga vendosia e gurthemelin për ndërtimin e dy anekseve të reja shkollore, një investim në vlerë prej 1.2 milionë euro.
Fushatën të mërkurën në Skënderaj, Hysni Mehani e nisi duke kritikuar qeverisjen e pushtetit lokal për shkatërrimin e shkollës së Polacit, një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë lokale, dhe u zotua ta mbrojë atë me çdo çmim.
Kurse kandidati për kryetar të Mitrovicë së Jugut, Faton Peci në takim me banorët e fshatit Zhabar u premtoi investime në çerdhe, ndërtim të nënkalimit për nxënësit në rrugën “Adriatiku”, vendosjen e ndriçimit publik, dhe rregullimin e trotuareve.
Qemajl Aliu, kryetari i komunës së Shtimës sot përurojë rrugën në fshatin Gllavicë, ku premtoi se vitin e ardhshëm do t’a funksionalizojë zonën e dytë ekonomike në Gllavicë.