Pak ditë pas rinovimit rekord të Max Verstappen me Red Bull, ka ardhur edhe përgjigjja e Lando Norris. Kampioni në fuqi i botës në Formula 1 ka nënshkruar një kontratë të re me McLaren, e cila e lidh atë me skuderinë britanike deri në vitin 2030.
Në marrëveshje është përfshirë edhe një opsion shumëvjeçar, që mundëson zgjatjen e kontratës edhe përtej këtij viti.
Lidhja mes Norrisit dhe McLarenit ka nisur në vitin 2017, kur britaniku iu bashkua skuadrës përmes programit të të rinjve, fillimisht duke marrë rolin e pilotit testues dhe duke punuar në simulator.
Në vitin 2019, Norris u bë pilot titullar i skuderisë britanike dhe që nga atëherë ka zhvilluar 163 gara, një rekord absolut për një pilot të McLarenit.
Gjatë kësaj periudhe, Norris ka regjistruar 18 pole position, 48 podiume dhe 13 fitore në gara, ndërsa ka kontribuar në dy tituj botërorë për konstruktorë dhe ka fituar edhe titullin botëror për pilotë.
Rinovimi i Norrisit vjen pas atij të Oscar Piastrit, i cili u realizua në mars të vitit të kaluar, ndërsa i bashkohet kontratave afatgjata të nënshkruara gjatë dy viteve të fundit edhe nga drejtori ekzekutiv Zak Brown dhe drejtori i ekipit, Andrea Stella.
Por dhurata për Norris nuk përfundon me kontratën e re. Britaniku do të marrë edhe makinën MCL39, me të cilën garoi gjatë sezonit 2025 dhe që e ndihmoi të kurorëzohej kampion bote.
Kjo dhuratë dëshmon edhe një herë për rëndësinë e Norrisit për McLarenin dhe kontributin e tij në sukseset e fundit të skuadrës, veçanërisht në fitimin e titullit të dytë radhazi për konstruktorë dhe në triumfin e tij personal në Formula 1, duke u bërë piloti i parë i McLarenit që fiton titullin botëror që nga viti 2008.





