Arsenali ka pësuar një goditje të madhe në përpjekjet për të transferuar Julian Alvarezin, pasi sulmuesi i Atletico Madridit raportohet se i ka bërë të qartë Mikel Artetas se nuk dëshiron t’i bashkohet klubit londinez.
Gazetari i njohur David Ornstein ka dhënë përditësimin e fundit rreth situatës, duke konfirmuar se argjentinasi ka komunikuar drejtpërdrejt me trajnerin e Arsenalit.
“Ai ka folur me Mikel Artetan dhe i ka thënë se nuk dëshiron të vijë”, ka deklaruar Ornstein.
Ky zhvillim mund t’u japë fund shpresave të Arsenalit për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Kombëtares së Argjentinës, pavarësisht gatishmërisë së klubit anglez për të bërë një investim të madh në repartin ofensiv.
Arsenali e kishte identifikuar Alvarezin si objektivin kryesor për të përforcuar sulmin e Artetas dhe ishte i gatshëm të shqyrtonte një marrëveshje që mund të kapte shifrën e mbi 120 milionë eurove.
Ndërkohë, Atletico Madridi është bërë gjithnjë e më i hapur ndaj mundësisë së shitjes së 26-vjeçarit, veçanërisht për shkak të tensioneve të krijuara rreth situatës së tij.
Megjithatë, dëshira e Alvarezit për destinacionin e ardhshëm mbetet pengesa kryesore. Barcelona ka qenë më herët destinacioni i preferuar i argjentinasit, por Atletico Madridi e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të negociojë me rivalët e tyre spanjollë.
Kështu, e ardhmja e Alvarezit mbetet e hapur, ndërsa Arsenali duhet të shikojë alternativa të tjera për të përforcuar sulmin para mbylljes së afatit kalimtar.





