Kandidatja për kryetare të Vushtrrisë, Xhevahire Izmaku nga Nisma Socialdemokrate përkrah kandidatit për asamble komunale, Bedri Dobrani, u zotua se 330 hektarë tokë në Banjskë do t’i kthehen në administrim Komunës së Vushtrrisë.
Gjatë ditës, Izmaku u prit ngrohtësisht edhe në familjen e kandidatit për asamble komunale, Remzi Demiri ku në fokus të këtij takimi ishin gratë.
“Ato flisnin me pasion për arsimimin e fëmijëve, për sigurinë, për mirëqenien e familjeve dhe për nevojën që zëri i gruas të dëgjohet më shumë në vendimmarrje”, tha ndër të tjera ajo.
Kurse me moton “Bashkë për fitore”, kryetari aktual i Malishevës, Ekrem Kastrati, qe synon edhe një mandat në krye të kësaj komune, ka shprehur mirënjohje të thellë për angazhimin, energjinë dhe vullnetin e secilit anëtar dhe përkrahës të familjes së tij politike.
Kandidatja për kryetare të Prizrenit nga NISMA Socialdemokrate, Albulena Balaj Halimaj ndau pamje nga takimi me qytetarët në Gjonaj, ku pjesë e këtij tubimi ishte edhe i pari i partisë, Fatmir Limaj.
Balaj Halimaj që synon pozitën e kryetarës së Prizrenit shpërndau në rrjetin social “Facebook” mënyrën se si të votohet më 12 tetor.