Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismajli premtoi revitalizimin e Pazarit të Vjetër dhe rregullimin e infrastrukturës, duke e kthyer këtë zonë historike në një destinacion tërheqës për turistët dhe qytetarët.
Kandidati, Riad Rashiti në Gjilan premton përmirësimin e kushteve për klubet sportive dhe realizimin e projektit për stadiumin e qytetit.
Kryetari aktual dhe kandidat për një mandat të ri në Kaçanik, Sabedin Vishi ka prezantuar projektet infrastrukturore të realizuara gjatë mandatit të tij.
Në Mitrovicë, Arian Tahiri gjatë vizitës në Kryqin e Kuq të Mitrovicës prezanton iniciativën “Mitrovica Solidare”, një fond për mbështetje sociale dhe emergjencash.
Ndërkohë Shaqir Totaj i PDK-së që synon edhe një mandat në krye të Prizrenit premton se kjo komunë do të ketë teleferikun e vet nëse zgjidhet edhe për katër vitet e ardhshme.
Sami Lushtaku, kandidat për kryetar në Skenderaj gjatë takimit me mësimdhënësit e Gjimnazit “Hamëz Jashari”, me artistët lokalë, si dhe me banorët e lagjes Bajrami në Klinën e Poshtme dhe me banorë në Dashefc premtoi përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.
Ferit Idrizi, kandidat për mandat të dytë në Vushtrri ka njoftuar se po realizohet projekti “Rrethoja e Çelikut – Ura e Madhe e Silnicës”, duke kombinuar funksionalitetin modern me ruajtjen e traditës lokale.