Në kuadër të fushatës zgjedhore të Kosova Demokratik Türk Partisi, kandidati Furkan Bütüç për kryetar komune në Prizren, ka zhvilluar takime me qytetarë dhe zejtarët e lagjes Terzimahale, me të cilët ndau shqetësimet dhe vizionin për një Prizren më të fortë dhe më të jetueshëm.
Ai ka bërë të ditur se në mandatin e tij do të angazhohet për krijimin e mekanizmave mbështetës për zejtarët, përfshirë subvencione, promovim të produkteve lokale dhe organizimin e aktiviteteve që lidhin traditën me zhvillimin turistik të qytetit.
Në një tjetër takim me Shoqatën ESNAF, së bashku me zyrtarë të lartë të KDTP-së, Bütüç prezantoi programin e qeverisjes lokale me fokus në fuqizimin ekonomik dhe social të komunitetit.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe shoqëror për të ndërtuar një Prizren modern dhe gjithëpërfshirës.
Ndërkohë në Mamushë, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të ri, Abdulahadi Krasniç, ka rikujtuar projektet kulturore dhe edukative të realizuara gjatë 4 viteve të fundit teksa ka prezantuar një sërë zotimesh që lidhen me investimin në rininë dhe arsimimin e saj.
Ai ka premtuar zgjerimin e projekteve kulturore dhe edukative për të rinjtë, përfshirë organizimin e udhëtimeve kulturore.
Në programin e tij për mandatin e ardhshëm, Krasniç, synon vazhdimin e bashkëpunimit me universitetet dhe qendrat kërkimore, për të forcuar kapacitetet zhvillimore të Mamushës në sektorë kyç si bujqësia, arsimi dhe shëndetësia.