Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku premton mbështetje të qëndrueshme për artin dhe kulturën përmes platformës “Prishtina 2035”, që parasheh hapësira komunitare në çdo lagje, rezidenca vjetore për artistë, si dhe fonde për përkrahje sociale të tyre.
Në Gjakovë, kandidati Ardian Gola teksa kritikoi keqqeverisjen premtoi rindërtimin dhe funksionalizimin e Muzeut të Muzikës.
Alban Hyseni në Gjilan shpalosi arritjet e mandatit të tij të parë, përfshirë ndërtimin e tetë parqeve të reja dhe premtoi për katër të tjera.
Në Dragash, kandidati Filiz Mustafa u zotua për përmirësimin e infrastrukturës në fshatin Kosavë, përfshirë ndriçimin publik, kanalizimin, trotuaret, shtratin e lumit, sistemin e ngrohjes në shkollë dhe mbylljen e një deponie ilegale.
Valon Prebreza në Fushë Kosovë premtoi kushte të mira jetese, qasje në arsim e shëndetësi, dhe mundësi ekonomike për të gjithë, me moton se ndryshimi fillon nga dera e çdo shtëpie.
Kadri Rahimaj, kryetar aktual i Kamenicës, premton vazhdimin e investimeve në infrastrukturë rrugore në disa fshatra të komunës, duke theksuar se ritmi i zhvillimit nuk do të ndalet.
Në Mitrovicë, kandidat për kryetar, Faton Peci është zotuar për transformimin e hyrjeve të qytetit.
Artan Abrashi në Prizren ka prezantuar një plan për infrastrukturë moderne, me përfundimin e rrugëve në fshatra, unazës së dytë, nënkalimeve dhe urave të rëndësishme, si dhe një administratë transparente dhe të qasshme për qytetarët.
Në Skenderaj, Hysni Mehani vuri në pah përkrahjen që gëzon nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Kurti, duke e cilësuar këtë si garanci për realizimin e programit të tij dhe për ndryshimin e shumëpritur në këtë komunë.
Sylejman Meholli në Vushtrri u premtoi banorëve të Studimes së Epërme ndërtimin e një muzeu për historinë e masakrës, duke u zotuar për kthimin e dinjitetit të këtij fshati të lënë pas dore.
Kurse Valon Hoti në Malishevë, gjatë një vizite në Pagarushë, premtoi zgjidhje për kanalizimet e dëmtuara dhe rrjetin e vjetër elektrik.