Kandidatja e NISMA Socialdemokrate për kryetare të Vushtrrisë, Xhevahire Izmaku gjatë takimit me Bashkësinë Islame në këtë komunë, u zotua se do të punojë me dinjitet, humanitet dhe respekt për të gjithë qytetarët, duke theksuar se pjesëmarrja aktive e grave është një vlerë që do të mbështetet fuqishëm gjatë mandatit të saj.
Në Prizren, kandidatja Albulena Balaj – Halimaj ka prezantuar një ndër zotimet kryesore të saj në fushën e shëndetësisë dhe sigurisë publike: krijimin e një qendre të veçantë paramedike. Sipas saj, kjo qendër do të funksionojë në bashkëpunim ndërinstitucional mes shërbimeve emergjente shëndetësore, policisë dhe zjarrfikësve.
Në Malishevë, kryetari aktual Ekrem Kastrati, i cili garon për një mandat të dytë, ka vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbështetjes për përmirësimin e shërbimeve komunale. Ai ka bërë të ditur pranimin e një donacioni nga Komuna e Meyrinit në Zvicër, në vlerë prej mbi 250 mijë eurosh në pajisje moderne për mirëmbajtjen e ambientit.
Përndryshe Kastrati ka vazhduar fushatën në lagje dhe fshatra të Malishevës teksa është shprehur se mobilizim i tillë është shenjë e qartë e një fitoreje të thellë më 12 tetor.