Kandidati për kryetar të Prishtinës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku e ka vendosur zhvillimin ekonomik si një nga shtyllat kryesore të platformës së tij.
Çeku tha se bizneset janë motor i rëndësishëm i rritjes dhe mirëqenies në kryeqytet duke shtuar se platforma e tij ofron zgjidhje të bazuara në realitet.
Në Gjilan, kryetari aktual Alban Hyseni, që kërkon mandatin e dytë, është zotuar për vazhdimin e mbështetjes për ndërmarrësinë, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, si dhe për ndërtimin e një Qendre për të Moshuarit me standarde moderne.
Kryetari aktual i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka prezantuar projektin e parkut në Kopërnicë me investim prej 288 mijë eurosh, si pjesë e vizionit për përmirësim të jetës në çdo lokalitet të komunës.
Në Mitrovicë, kandidati Faton Peci ka premtuar rigjallërimin e zonave të Vinarcit e Luginës së Ibrit me zhvillimin e infrastrukturës, ujësjellësit dhe mirëmbajtjes së liqenit.
Në Lipjan, kandidati Ilir Qeriqi ka denoncuar ndërtime të egra që rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe është zotuar për një qasje të re në planifikimin urban dhe sigurinë publike.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është zotuar për vazhdimin e mbështetjes për fermerët, përmes dhënies së pajisjeve moderne dhe përkrahjes në prodhim bujqësor.
Në Suharekë, kandidati Hamdi Bytyçi ka bërë një zotim se 100% e pagës së tij, gjatë mandatit, do të dedikohet për bursa për studentët.
Në Ferizaj, kandidati Enver Haliti ka premtuar ndërtimin e ngrohtores qendrore afër Kazermës së Ferizajit, me impiantin e kombinuar solar të fuqisë 50 MW.
Në Vushtrri, Sylejman Meholli ka shpalosur një plan për ringjalljen e sektorit të bujqësisë duke përfshirë subvencione për qumështin, kultivimin e patates, shpezëtarinë dhe ndërtimin e një tregu të gjelbër funksional.
Në Malishevë, Valon Hoti është zotuar për mbështetje të madhe për bujqësinë, përmes subvencioneve, mekanizimit modern dhe politikave që favorizojnë prodhuesin vendor.