Federico Valverde ka reaguar për herë të parë pas spekulimeve të fundit që lidhen me të ardhmen e tij te Real Madridi dhe formën jo të mirë në disa ndeshje.
Mesfushori uruguaian publikoi një deklaratë ku theksoi se ndonëse është i vetëdijshëm për paraqitjet jo të mira, ai kurrë nuk ka refuzuar të japë maksimumin për klubin.
“Kam lexuar shumë artikuj që dëmtojnë reputacionin tim. E di që kam pasur ndeshje të dobëta, nuk fshihem dhe e pranoj kritiken. Por në asnjë rast nuk është e vërtetë se kam refuzuar të luaj. Kam dhënë gjithçka për këtë klub, madje edhe kur kam qenë i dëmtuar apo i thyer, pa u ankuar asnjëherë,” shkroi Valverde.
Ai gjithashtu tregoi për marrëdhënien e tij të mirë me trajnerin, duke theksuar se pavarësisht preferencave për pozicionin në fushë, është gjithmonë i gatshëm të luajë kudo që i kërkohet.
“Kam lënë shpirtin dhe zemrën time për këtë klub dhe do të vazhdoj ta bëj. Betoj në krenarinë time se kurrë nuk do të dorëzohem dhe do të luftoj deri në fund,” përfundoi Valverde.