Mesfushori i Barcelonës, Gavi, ka ndarë publikisht objektivat e tij madhorë, duke treguar vendosmërinë për të bërë histori si me klubin katalanas ashtu edhe me kombëtaren e Spanjës.
Në një intervistë për mediat spanjolle, 21-vjeçari theksoi se nuk i trembet presionit dhe përgjegjësisë që mbartin këto synime.
“Ëndrra ime është të fitoj Ligën e Kampionëve me Barcelonën dhe Kupën e Botës me Spanjën. Këto janë dy objektiva që më motivojnë çdo ditë dhe për të cilat punoj pa pushim”, deklaroi ai.
I konsideruar si një nga liderët e ardhshëm të “blaugranave”, Gavi është tashmë simbol i brezit të ri spanjoll. Me karakterin e tij luftarak dhe mentalitetin fitues, ai shihet si një element kyç për të ardhmen e “Camp Nou”-t dhe “La Roja”-s.
Tifozët e Barcelonës e krahasojnë me legjendat e mëdha të klubit, ndërsa spanjollët shpresojnë që me të në qendër, kombëtarja të rikthehet në majën e futbollit botëror.
Aktualisht, Gavi është i fokusuar në rikuperimin nga dëmtimi i rëndë që e ka mbajtur jashtë fushës, me shpresën që të rikthehet më i fortë se kurrë.