Temperaturat kanë shënuar ulje dhe vranësira të dendura kanë përfshirë territoret tona. Në disa vise ka intervale kohore me diell, në veçanti në jug të Kosovës dhe disa rajone të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut.
Temperaturat do të vazhdojnë të pësojnë ulje graduale edhe gjatë orëve të ardhshme dhe gjatë fundjavës ku herë pas here lokalisht do të ketë edhe periudha me shi vende-vende në formë të rrebesheve me vetëtima dhe bubullimë.
Gjendja sinoptike po ndryshon në favor të vjeshtës së vërtetë gradualisht, por ajo çfarë është interesante është gjendja sinoptike në fillim të Tetorit.
Fillimi i Tetorit
Në Skandinavi parashihet të krijohet një bllok i fuqishëm anticiklonik dhe kjo do të mundësojë që nga verilindja dhe lindja të depërtojnë masa mjaft të ftohta ajrore në drejtim të Ballkanit. Në anën tjetër kemi një potencial real që diku në jug të Italisë dhe Detin Jon të kemi krijimin e një cikloni mjaft të fuqishëm edhe sipërfaqësor që do të sjellë reshje të dendura atmosferike.
Pas reshjeve të herëpashershme, lokale që priten këto ditë, në fillim të muajit Tetor do të fillojnë reshje të reja shiu të cilat me uljen e ndjeshme të temperaturave do të shndërrohen në reshje bore në viset e larta malore. Sipas ecurive aktuale sinoptike gjasat janë rreth 60 për qind që kjo të realizohet nga tani.
Atmosferë e vërtet vjeshtore pritet të përfshijë gati të gjitha viset tona që nga e tërë Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore dhe Lugina e Preshevës, ndërsa atmosferë e hershme dimërore mund të përfshijë viset e larta malore.
Pasi që kemi disa ditë përpara trajektorja e ciklonit ende mund të pësojë ndryshime, por kemi një sinjal mjaft të fortë, prandaj po e shkruajmë këtë artikull. Ndryshimi i trajektores së ciklonit mund të ndryshojë sasinë e reshjeve në të mirë dhe në të keq.
Pas një vere shumë të gjatë dhe të nxehtë, veshta ka filluar të shfaqet edhe faktikisht me ulje të temperaturave, reshje lokale dhe vranësira.
Sipas ecurive aktuale sinoptike reshje atmosferike më intensive priten në shumë vende të Ballkanit, madje ka disa gjasa që reshje bore të ketë edhe në disa zona të ulëta të Ballkanit dhe kjo mbetet mjaft interesante të ndjeket sepse jemi krejt në fillim të vjeshtës.
Kjo sigurisht se është një ekstrem dhe mund të ndodhë që modelet të zbusin pak situatën në përditësimet e tyre të ardhshme, por mbetet jashtëzakonisht interesante gjendja sinoptike në fillim të Tetorit në aspektin meteorologjik./MeteoBallkan