Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, së bashku me homologun e tij të CONMEBOL-it, Alejandro Dominguez, dhe disa drejtues të federatave të futbollit, u takuan në New York për të diskutuar opsionin që Kupa e Botës 2030 të zhvillohet me 64 ekipe, raporton ESPN.
Ideja për zgjerimin e turneut u propozua fillimisht nga presidenti i Federatës së Uruguait, në emër të konfederatës së Amerikës së Jugut.
Infantino ka zhvilluar së fundmi edhe vizita në Marok për të kërkuar mbështetjen e federatave afrikane, ndërsa ka pasur bisedime me disa prej federatave kryesore aziatike për të siguruar konsensus të gjerë rreth formatit të ri.
Botërori i vitit 2030 pritet të zhvillohet në gjashtë vende dhe tre kontinente: Marok, Spanjë, Portugali, si dhe Uruguai, Argjentinë e Paraguai. Aktualisht, vendet e Amerikës së Jugut pritet të presin nga një ndeshje secila.
Nëse miratohet zgjerimi në 64 ekipe, CONMEBOL mund të përfitojë deri në 10 vende të garantuara në turne. Nga shtetet e saj, vetëm Venezuela nuk ka debutuar ende në një Kupë Bote.
Për krahasim, Botërori 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë do të ketë 48 ekipe, pas kalimit nga formati tradicional me 32 skuadra.