Benfica u ndal në një barazim 1-1 kundër Rio Ave në javën e gjashtë të Superligës së Portugalisë, dhe Jose Mourinho nuk i kurseu kritikat pas ndeshjes së tij të parë në shtëpi si trajner i klubit.
Në minutën e 60-të, goli i Antonio Silva u anulua nga VAR për një faull të dyshuar, vendim që ngriti polemika. Benfica arriti të kalojë në epërsi vonë, me golin e Heorhiy Sudakov në minutën e 86-të, por vetëm pesë minuta më vonë Andre Luiz barazoi, duke i mohuar fitoren ekipit vendas.
Mourinho u shpreh i pakënaqur me arbitrimin dhe vendimin e VAR-it, duke e cilësuar futbollin e sotëm si të padrejtë.
“Pjesa e parë ishte e dobët, ndërsa e dyta e mirë. Kontrolluam lojën, krijuam raste dhe ishim agresivë. Shënuam një gol që na e mohuan për një shkelje minimale, një gisht mbi një tjetër. Nëse ky është futbolli i ri, atëherë nuk më pëlqen”, tha Mourinho.
Ai shtoi se arbitrat po bëhen protagonistë të panevojshëm:
“Nuk më pëlqen kur burri te monitori bëhet personazhi kryesor. Nëse goli anulohet për një shkelje të tillë, atëherë gjyqtari nuk ka karakter”.