Në Londër, tek Chelsea po mbretëron ankthi pas një serie dëmtimesh që kanë reduktuar ndjeshëm alternativat e skuadrës së Enzo Maresca-s. Aktualisht, lista e lojtarëve të padisponueshëm ka arritur në shtatë emra, ndërsa shqetësimi më i madh mbetet gjendja e Cole Palmer.
Sulmuesi ofensiv u detyrua të largohej nga fusha vetëm pas 21 minutash në sfidën ndaj Manchester United, dhe ende nuk ka një afat të qartë rikuperimi. Maresca e pranoi se situata është alarmuese:
“Gjendja e tij do të vlerësohet ditë pas dite. Është diçka e re për ne dhe duket se lidhet me lodhjen pas Botërorit për Klube. Nuk e dimë ende se si do të ndikojë kjo në vazhdimësinë e sezonit”, tha italiani.
Problemet për Chelsea nuk mbarojnë këtu. Portieri Robert Sanchez, i cili u përjashtua me karton të kuq në të njëjtën ndeshje, nuk do të jetë i gatshëm. Raportet nga klubi sugjerojnë se trajneri nuk është i kënaqur me performancën e tij, dhe ky incident mund të përshpejtojë largimin e spanjollit nga “Stamford Bridge”.
Me një listë të gjatë mungesash dhe presionin e rezultateve, Maresca përballet me një sfidë të vështirë për të rikthyer qetësinë dhe konkurrueshmërinë te “Blutë e Londrës”.