Skuadra e Bashkimit të Prizrenit po përgatitet maksimalisht për ndeshjet kualifikuese të FIBA Europe Cup, aty ku për herë të parë do të garojë në këtë kompeticion prestigjioz.
Prizrenasit do të kenë përballë një kundërshtar shumë të fortë – Anwil Wloclawek nga Polonia, skuadër që ka fituar këtë garë në vitin 2023 dhe në edicionin e fundit arriti deri në fazën e 1/16-ve.
Atmosfera në palestrën “Sezai Surroi” pritet të jetë e jashtëzakonshme të mërkurën mbrëma, kur nga ora 19:00 zhvillohet sfida e parë. Ndeshja e kthimit është caktuar më 1 tetor në Poloni, ndërsa fituesi nga dy përballjet do të sigurojë një vend në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.
Bashkimi, nënkampion i Kosovës, ka bërë thirrje për përkrahje masive nga tifozët “Portokallezinj”, pasi ky është një moment historik për klubin dhe qytetin e Prizrenit.