Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për komunën e Prishtinës, Uran Ismaili, ka publikuar numrin e radhës të gazetës javore “Koha për Prishtinën”, ku mes tjerash ka thënë se do flasim për zgjedhjet konkrete për secilën lagje të Prishtinës.
Ndërkaq, bashkëpartiaku i tij, që kërkon postin e kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, takoi banorët e fshatit Lushtë, ku premtoi infrastrukturë më të mirë.
Kandidati për Prizrenin i PDK-së, Shaqir Totaj, përuroi sot vendosjen e gurëthemelit të një aneks objekti për shkollën fillore “Fatmir Berisha”.
Ndërsa Agim Aliu, kryetari aktual i Ferizajt, tregoi se arsimin e ka prioritet nëse rizgjidhet kryetar.
Shukri Buja i PDK-së, që garon për të parin në Lipjan, premtoi angazhim për zhvillimin e sportit në komunë si dhe u zotua për mbështetje ndaj bujqëve.
Premtime për bujqësi dha edhe kandidati i PDK-së, për Podujevën, Isak Shabani.
Kurse, kandidati i kësaj partie për Vushtrri, njëhershi edhe kryetar aktual, Ferit Idrizi, takoi veteranët e arsimit.