Kryetari aktual i Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili po kërkon edhe një mandat të dytë, Përparim Rama ka bërë të ditur se për herë të parë kryeqyteti ka një strategji të plotë për kulturën dhe artin me vizion afatgjatë deri më 2031.
Kurse në Fushë Kosovë, kandidati për kryetar Besnik Osmani të dielën e kishte rezervuar për Turneun në Futsall. Në këtë ngjarje sportive, Osmani tha se janë bashkuar ekipet e nëndegëve të LDK-së, strukturave dhe ato të rinisë për të treguar pasionin për sportin dhe fuqinë e bashkëpunimit në këtë drejtim.
Ndërsa, Visar Azemi nga LDK që synon të parin e Ferizajt, i kishte zgjedhur kafiteritë e qytetit që të takohet me ferizajas. Atyre, Azemi u premtoi një qytet me trotuar e parqe, si dhe mundësi pune që duhet t’u krijohen grave e vajzave.
E bizneset, kishte planifikuar ti vizitonte Jeton Mushkolaj që në vazhdimësi po bënë premtime, nëse do ta ketë në menaxhim Deçanin. Mushkolaj tha se në mandatin e tij si kryetar, dera do të jetë gjithmonë e hapur për çdo biznes që kontribuon në rritjen e ekonomisë, punësimit dhe përmirësimin e mirëqenies së komunitetit.
Ndërsa, Driton Selmanaj, që kandidon t’a udhëheq për katër vite Prizrenin, u takua me banorë në Shkozë.
Ishte një mundësi për të dëgjuar nga afër shqetësimet tuaja, për të ndarë mendime rreth problemeve të përditshme dhe për të diskutuar hapat konkretë që do të ndërmarrim për zgjidhjen e tyre– ka shkruar mes tjerash Selmanaj.
Në ditën e nëntë, LDK-ja në Kacanik prezantoi listën e kandidatëve për Asamble, në krye me Betim Shalën.