NATO-ja është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e këtij vendi, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.
Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese, janë tashmë në rrugë për në Kosovë.
“NATO-ja do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet”, u tha Stoltenberg gazetarëve në margjina të një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo, shkruan REL.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
NATO-ja vendosi ta rriste misionin e saj prej 4.000 trupash në Kosovë edhe me 700 trupa shtesë, pasi 30 paqeruajtës të saj u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit, më 29 maj.
Stoltenberg tha se dhuna kundër trupave të NATO-s është “krejtësisht e papranueshme”.