Leart Paqarada përjetoi një debutim të hidhur me skuadrën e tij të re, Heidenheim, pasi pësoi një dëmtim serioz që në minutat e para të ndeshjes ndaj Borussia Dortmundit.
Mbrojtësi i majtë i Kosovës u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm shtatë minutash lojë, në një sfidë që Heidenheim e humbi 2-0 para tifozëve të vet dhe mbeti në fundin e tabelës së Bundesligës pa pikë.
Pas ekzaminimeve mjekësore, u konfirmua lajmi i keq: Paqarada ka këputur ligamentin e gjurit të majtë dhe pritet t’i nënshtrohet operacionit në ditët në vijim. Koha e rikuperimit do të zgjasë disa muaj, çka do ta mbajë larg fushës për një periudhë të gjatë.
Trajneri i Heidenheimit, Frank Schmidt, shprehu keqardhje për lëndimin:
“Është një lajm i trishtë, sidomos për Leartin. I urojmë shërim të shpejtë dhe do ta mbështesim në çdo hap. Tani duhet të jemi më të bashkuar si skuadër.”
30-vjeçari iu bashkua Heidenheimit këtë verë nga FC Köln dhe kishte për qëllim të sillte përvojë dhe lidership në radhët e ekipit debutues në elitën gjermane.
Fatkeqësisht, kjo aventurë nisi me një goditje të madhe një pengesë serioze për lojtarin dhe për klubin në sfidën e tyre të parë në Bundesligë. /ATVLIVE.TV