Sot kryeministri Edi Rama ka kërkuar që kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj të largohet nga detyra, të shkarkohet dhe kryeqyteti të shkojë në zgjedhje.
Kjo për faktin se, pas 7 muajsh siç tha Rama, “Tirana nuk ka asnjë kryetar bashkie në krye të detyrës. Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta përditë e përnatë. Nuk i heq asnjë meritë kryetares, sot duhet të marrim vendim politik për t’u hapur rrugë zgjedhjeve për kryetar bashkie në Tiranë”.
Në fakt CNA ka mësuar nga burime zyrtare se kryeministri ka kërkuar që Erion Veliaj të japë dorëheqjen.
Të njëjtat burime theksuan se kjo ka ndodhur dhe kohë më parë por kryebashkiaku ka refuzuar ta bëjë këtë fakt. Edi Rama është parë vërtetë në siklet kur është pyetur në emisionin e gazetarit Blendi Fevziu në datë 4 shtator se a do të kishte zgjedhje në Tiranë, ai tha se nuk e dinte, se ishte duke u konsultuar por kurrë nuk tha me vendosmëri që jo, në Tiranë nuk ka zgjedhje.
Më pas dolën zërat se, disa njerëz afër kryeministrit kërkonin që Erion Veliaj të rrinte në detyrë dhe që Rama të ndërhynte te drejtësia dhe që ai të dilte nga arresti me burg. Një nga personat që e ka bërë hapur është dhe Mero Baze kjo është dhe arsyeja e thyerjes së tij me kryeministrin Rama. Baze ka dalë hapur duke kërkuar që Veliaj të lihet në detyrë dhe të vazhdojë punën.
Aq hapur sa ka marrë në mbrojtje dhe zyrtarë të PD në luftën e tij të hapur kundër SPAK pa folur më tej për mashtrimet e përditshme që stis shkruan apo shpall në faqen e tij.
Sot në një reagim pa autor tek portali i Mero Bazes shkohej deri në kërcënime për Ramën me përballje në gjykatën kushtetuese dhe theksohej se as kryeministri nuk ka të drejtë ta shkarkojë Veliajn.
Kryeministri Edi Rama nga ana e tij duket që vërtetë ka qenë i distancuar nga veprimet e drejtësisë dhe sot ka treguar vetëm sikletin që ka pasur. Pasi Erion Veliaj ka refuzuar të japë dorëheqjen ai ka parë arsyet ligjore se si duhet të veprojë dhe i ka kërkuar Këshillit Bashkiak që të procedojë me shkarkimin e Erion Veliajt dhe të ecet më tej me kandidaturën e Ogerta Manastirliut për të zhvilluar zgjedhjet në Tiranë, në të njëjtën kohë me shumë nga bashkitë e tjera të cilave iu shtua Vlora pas dorëheqjes së djeshme të Ermal Dredhës, Tepelena, Mati dhe Berati pasi Ervin Demo u zgjodh deputet u bë dhe ministër ndërsa sot iu shtua dhe Cerriku, kryebashkiaku i të cilit sot mori postin e Ministrit të Bujqësisë./ CNA