Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, është nderuar me çmimin “Më i miri i të gjitha kohëve” nga Federata Portugeze e Futbollit, duke shtuar kështu edhe një tjetër arritje madhështore në karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Me 141 gola të shënuar në 223 paraqitje për Kombëtaren, Ronaldo është golashënuesi më i mirë në historinë e ekipit kombëtar portugez. Çmimi i fundit vjen si njohje për kontributin dhe ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në futbollin portugez dhe ndërkombëtar.
Liga Portugeze e Futbollit shprehu mirënjohjen për ikonën e sportit me fjalët:
“Një idhull për miliona njerëz, Cristiano Ronaldo ka definuar një epokë të tërë dhe do të lërë një gjurmë të pashlyeshme në botën e futbollit.”
Përmes një deklarate, Liga theksoi se ky çmim përfaqëson një vlerësim për kapitullin e artë që Ronaldo vazhdon të shkruajë në historinë e futbollit:
“CR7 u nderua me çmimin ‘Më i miri i të gjitha kohëve’, si mirënjohje për faqet e arta që vazhdon t’i shkruajë në karrierën e tij.”
“I njohur për përkushtimin, shpirtin konkurrues dhe ndikimin vendimtar në momentet kyçe, Ronaldo shkon përtej shifrave – ai përfaqëson një epokë.”
“Mes rekordeve individuale, trofeve kolektivë dhe ndikimit të jashtëzakonshëm mediatik, ai ka ndërtuar një trashëgimi që e rendit si një nga më të mëdhenjtë e historisë.”
Pavarësisht se nuk ishte i pranishëm në ceremoninë zyrtare të mbajtur në Porto, lojtari i Al Nassr dërgoi një video-mesazh ku shprehu mirënjohjen për këtë nderim.
“Dua ta falënderoj Ligën për çmimin ‘Lojtari më i mirë i të gjitha kohëve’. Është një nder i jashtëzakonshëm të marrësh një vlerësim të tillë nga vendi yt,” tha Ronaldo.
“Faleminderit të gjithë bashkëlojtarëve të mi ndër vite që më kanë ndihmuar të arrij këto suksese. Një falënderim i veçantë shkon për trajnerët dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur në rrugëtimin tim.”
Këtë javë, Cristiano Ronaldo shënoi edhe një tjetër arritje historike, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, pas golit të tij në fitoren 3:2 ndaj Hungarisë. /ATVLIVE.TV