Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se konsumatorët në Kosovë nuk gëzojnë mbrojtje reale dhe efektive. Kjo gjetje vjen nga raporti performancës, i cili ka analizuar sistemin për mbrojtjen e konsumatorëve për periudhën 2022-2024.
Sipas raportit, sistemi është i pakoordinuar dhe ka dobësi në trajtimin e ankesave, të cilat nuk monitorohen sistematikisht. Auditori gjeti se inspektimet bëhen kryesisht pas ankesave dhe jo bazuar në analiza rreziku, ndërsa fushatat për ndërgjegjësimin e publikut janë të kufizuara.
Për të adresuar mangësitë që prekin të drejtat e qytetarëve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka lëshuar 13 rekomandime për institucionet përgjegjëse.