Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka bërë të ditur se lokacioni në Kozhlje, afër Novi Pazarit, ku dyshohet për një varr masiv, deri më tani është shfrytëzuar si deponi mbeturinash.
Sipas tij, ky është një nga vendet që është diskutuar disa herë nga Grupi Punues për të Zhdukurit nga lufta, krahas lokacioneve si Batajnica dhe Kozhareva, për të cilat Kosova ka kërkuar vazhdimisht nisjen e hulumtimeve.
Në këtë zonë sot është deleguar një ekip nga Kosova për të bërë vlerësimin e terrenit dhe për të parë mundësinë e fillimit të punimeve.
“Ky lokacion ka nisur të vlerësohet që nga viti i kaluar, por më pas është shtyrë nga pala serbe. Vetëm pas presionit të vazhdueshëm, edhe ndërkombëtar, Serbia ka filluar procesin e vlerësimit. Duhet theksuar se kjo po ndodh pas një zjarri që për gati dy muaj ka kapluar atë zonë. Nga Kosova sot është deleguar një ekip i përbërë nga z. Kushtrim Gara, z. Ditor Haliti dhe z. Valon Hyseni. Aktualisht në terren janë të pranishëm edhe ICRC dhe EULEX, krahas palës serbe. Sot po kryhet vlerësimi dhe më pas do të shihet mundësia për fillimin e punimeve.”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai ka theksuar se lokacioni është përdorur si deponi mbeturinash që nga viti 1999 dhe për të arritur deri te zona e dyshuar, duhet largimi i tyre deri në një thellësi mbi 15 metra.
Hoti ka bërë thirrje që Serbia të mos e zvarrisë procesin në Kozhlje dhe të fillojë punimet edhe në vendet e tjera të identifikuara.
“Ajo që ka rëndësi të veçantë është që të mos lejohet Serbia ta kthejë Kozhljen në një proces të pafund, siç ndodhi me Kizhevakun dhe Rudnicën, duke zvarritur punimet me vite të tëra dhe duke mos dhënë koordinata të sakta. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Serbisë që të fillojnë punimet edhe në lokacionet tjera për të cilat ka zotime, siç është Batajnica dhe 16 lokacionet tjera të përmendura në raportin e tyre.”, ka shkruar ai.