Leon Dajaku është zyrtarisht lojtari më i ri i klubit gjerman SSV Ulm 1846, duke u rikthyer në futbollin gjerman – këtë herë në Bundesliga 3.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi, duke treguar se me sulmuesin kanë nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2027.
Në deklaratën e tij pas prezantimit te SSV Ulm, Dajaku tha:
“Jam i kënaqur që po marr një sfidë të re në një klub tradicional si SSV Ulm 1846. Gjithashtu tani jam shumë afër qytetit tim të lindjes dhe familjes sime përsëri. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për mua dhe dua t’i shfrytëzoj sa më mirë cilësitë e mia në mënyrë që të kemi sukses së bashku.”
Me një përvojë të konsiderueshme për moshën e tij, 24 vjeçari numëron gjashtë paraqitje në Bundesligë, 43 ndeshje në divizionin e tretë gjerman dhe 32 në kampionatin anglez. Ai ka provuar gjithashtu futbollin në Zvicër, Kroaci dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
I lindur dhe rritur në Gjermani, Dajaku nisi karrierën te VfB Stuttgart përpara se të transferohej te Bayern Munich në vitin 2019. Me bavarezët, ai fitoi dopietën në vitin 2020 – kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë.
Pas aventurës te Bayerni, ai u bashkua me Union Berlin dhe më pas emigroi në Angli për të luajtur me Sunderland. Më pas, karriera e tij vazhdoi me St. Gallen në Zvicër, Hajduk Split në Kroaci dhe së fundmi me Sharjah FC në Emiratet e Bashkuara.
Dajaku ka përfaqësuar ekipet e moshave të Gjermanisë në 24 raste, duke u konsideruar dikur si një prej talenteve më premtuese të brezit të tij. /ATVLIVE.TV