Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, ish-nënkryetar i Mitrovicës së Jugut, dhe Hysen Muzliukajt, ish-drejtor në këtë komunë.
Ata akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë tejkaluar kompetencat për t’i sjellë përfitim pasuror personave të tretë, duke dëmtuar pronën publike.
Në prill të vitit 2021, ata i propozuan Kuvendit Komunal këmbimin e një prone, duke e paraqitur rrejshëm si pronë komunale.
Ky veprim i ka shkaktuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit një dëm prej mbi 125 mijë eurosh.
Përveç kësaj, Mujka akuzohet edhe për mosraportim të pasurisë.
Të dy ishin arrestuar në vitin 2023 gjatë një operacioni anti-korrupsion, ku në njërin nga lokacionet ishin sekuestruar edhe 60 mijë euro.