Pesë anëtarë të bandës së kryeterroristit Milan Radoiçiq janë parë të martën mbrëma në stadiumin “Marakana”, ku u zhvillua ndeshja mes Serbisë dhe Anglisë.
Danilo Iliq, Danijel Xhukiq, Marjan Radojeviq, Stefan Radojkoviq dhe Stefan Jovanoviq – të cilët janë në mesin e 44 të akuzuarve nga institucionet e Kosovës për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023 – ishin pjesë e koreve fyese kundër Kosovës gjatë ndeshjes, në të cilën Serbia pësoi humbje të thellë 5-0 nga “Tre Luanët”.
Një llogari në rrjetin social “X”, me emrin “Usrana Motka”, ka publikuar fotografi të personave të dyshuar si pjesëmarrës në sulmin terrorist në Banjskë.
Sipas kësaj llogarie, grupi i Radoiçiqit ka ardhur në stadium me urdhër të Zhvallegës, të përgatitur për të frikësuar dhe terrorizuar të pranishmit në stadiumin e Beogradit. Po ashtu thuhet se disa prej tyre kanë ardhur nga Zveçani dhe Mitrovica e Veriut.
Gjatë ndeshjes është raportuar edhe për një përleshje, ku dyshohet se kanë qenë të përfshirë anëtarë të grupit të Radoiçiqit, sipas mediave, përfshirë edhe Paparacin.
44 të akuzuarit për rastin e Banjskës ngarkohen me disa vepra penale, përfshirë: “Kryerjen e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”,
“Lehtësimin dhe financimin e terrorizmit”, si dhe “Shpërlarjen e parave”. /ATVLIVE.TV