Kombëtarja e Anglisë ka zbarkuar në Beograd për ta zhvilluar ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Serbisë.
Megjithatë, përfaqësuesja angleze ka shprehur shqetësime lidhur me mundësinë e thirrjeve raciste nga tifozët serbë në stadiumin “Marakana”, duke pasur parasysh historikun e incidenteve të tilla në ndeshjet e mëhershme.
FIFA tashmë e ka dënuar Federatën Serbe të Futbollit me gjobë dhe e ka detyruar të mbyllë 15% të kapacitetit të stadiumit për këtë ndeshje, si pasojë e thirrjeve raciste në një ndeshje të mëparshme.
Në rast se incidentet e tilla përsëriten, Serbia rrezikon sanksione më të ashpra nga organi më i lartë i futbollit botëror.
Federata Serbe i ka bërë thirrje tifozëve të saj që të sillen në mënyrë të qytetëruar dhe të shmangin çdo lloj sjelljeje të papërshtatshme.
Nga ana tjetër, edhe Anglezët nuk do të qëndrojnë indiferentë nëse bëhen viktimë e racizmit. Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka deklaruar se nëse ndodhin thirrje raciste gjatë ndeshjes, skuadra angleze mund të largohet nga fusha.
Nëse një gjë e tillë ndodh, Serbia mund të humbasë ndeshjen me rezultat zyrtar 0:3, ndërsa kjo do t’i jepte një avantazh të rëndësishëm Shqipërisë, e cila ndodhet në të njëjtin grup me këto dy përfaqësuese.
Në këtë skenar, përballja e ardhshme mes Serbisë dhe Shqipërisë në stadiumin “Rajko Mitić” do të fitonte peshën e një “finaleje” për vendin e dytë në grup. /ATVLIVE.TV