Kombëtarja U21 e Spanjës ka shkaktuar reagime pas mënyrës se si i është referuar Kosovës në paralajmërimin zyrtar të ndeshjes së sotme, duke përdorur termin “territor” në vend të “shtet”.
Kosova U21 pret Spanjën sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, me ndeshjen që fillon nga ora 19:00 dhe është pjesë e kualifikimeve për Kampionatin Evropian U21.
Përdorimi i termit “territor” nga federata spanjolle konsiderohet si një vazhdimësi e mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga Spanja – një qëndrim që është shfaqur edhe në ndeshjet e mëparshme mes këtyre dy ekipeve.
Pavarësisht kësaj, ‘Dardanët’ e rinj janë të fokusuar në fushën e lojës. Ata e nisën fushatën kualifikuese me një barazim 0-0 ndaj Rumanisë dhe sonte, me përkrahjen e tifozëve në Prishtinë, synojnë të marrin fitoren e parë në grup.
Kujtojmë se biletat janë falas. /ATVLIVE.TV