Mosformimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 po e çon vendin drejt një bllokade serioze financiare dhe politike.
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka paralajmëruar se nëse deri më 31 tetor nuk ka qeveri funksionale që e procedon buxhetin e vitit të ardhshëm në Kuvend, pasojat do të jenë të drejtpërdrejta për financat e brendshme dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.
Jakaj për EO tha se qeveria e re ka obligim ligjor ta miratojë dhe procedojë buxhetin në Kuvend deri në fund të tetorit, duke përfshirë kërkesat e të gjitha komunave, agjencive dhe institucioneve kushtetuese.
“Ne jemi në shtatorë, në fund të muajit tetor qeveria e Kosovës, një qeveri që formohet pas konstituimit të këtij Kuvendi duhet ta votoj buxhetin e Kosovës dhe ta procedoj deri në Kuvendin e Kosovës deri me 31 tetor të këtij viti, e ka obligim detyrim që me përcjell këtë buxhet, mi përfshirë kërkesat buxhetore të secilës komunë të secilës administratë buxhetore, të secilës agjenci të pavarur kushtetuese që themelohet me ligj. T’i përfshijë ato dhe në mënyrë që të filloj implementimi i këtyre projekteve me 1 janar. Në rast se nuk do të ketë qeveri, që themelohet nga ky Kuvend atëherë ne do të hyjmë në një situatë e cila nuk ka qenë e paraparë me ligj, sepse me ligj e paraparë është mënyra e funksionimit të rregullt të Kuvendit dhe të qeverisë dhe jo fiskulltuart politike të cilat po bëhen kryesisht nga partia e parë që ka dalur nga zgjedhjet e fundit”, tha ai.
Ai paralajmëroi se pasojat e para do të ndihen në planin buxhetor dhe financiar, por me vonesë do të shfaqen edhe jashtë vendit.
“Pasojat fillimisht do të jenë financiare, buxhetore të brendshme, në ndërkohë ato të jashtme ato që mund të bëhemi pjesë e përjashtimit të marrjes së fondeve nga plani i rritjes për shkak që ne nuk po mbërrijmë që ta konstituojmë një Kuvend, rrjedhimisht t’i miratojmë ato marrëveshje ndërkombëtare sepse edhe për miratimin e atyre marrëveshjeve ndërkombëtare duhet me pas qeveri, nuk mundet Kuvendi vetë të hyjë një obligimi sepse nuk mundet me pastaj t’i egzekutoj ato detyrime të cilat i merr përispër t’i kryej. Për këtë arsye duhet një qeveri një ministri e financave, që i negocion këto marrëveshje, i nënshkruan, i miraton në qeveri dhe i ratifikon në Kuvend dhe me pastaj nis egzekutimi i tyre”, theksoi Jakaj.
Sipas tij, bllokada institucionale po ndikon drejtpërdrejt edhe në politikën e jashtme dhe procesin e dialogut me Serbinë.
“Edhe pasojat e tjera dihet, ne aktualisht nuk kemi një ministri të punëve të jashtme që është në fuqi në kuptimin e autorizimeve të plota që mund të shkojë, të dialogoj me vendet e jashtme për të marr njohjen e plotë, ndërkohë edhe kemi ngecur me dialogun me Kosovë-Serbi, detyrimet për të cilat kjo qeveri ka marr përsipër t’i zbatoj edhe me marrëveshjen e Ohrit edhe anekset të cilat janë të bashkëngjitura kësaj marrëveshje”, tha ai.