Këpucë e kapela të njëjta.
Këto ngjashmëri janë vërejtur te disa nga protestuesit serbë në Zveçan, të cilët të hënën edhe ushtruan dhunë fizike ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Me kapelat e ngjashme identifikohen pjesëtarët e grupit të tifozëve të futbollit në Serbi, i njohur si grupi i Veljko Belivuk, grup për të cilin javë më parë shkroi edhe New York Times.
Në artikullin e gazetës amerikane ishte cituar se gjatë një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, Veljko Belivuk kishte thënë se banda e tij ishte organizuar “për nevojat dhe me urdhër të presidentit Aleksandër Vucic”.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se kush është përgjegjës as për shkrimet e simbolit “Z” në veturat e Policisë, KFOR-it e të mediave.
Sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, qasja e kufizuar e institucioneve në veri e bën më të vështirë identifikimin dhe ndjekjen e grupeve kriminale.
Hulumtimet e QKSS-së tregojnë për një rritje të ekstremizmit etno-politik.
Pjesë e një strategjie, sipas hulumtuesit Shpat Balaj, në identifikimin e grupeve kriminale, do të duhej të ishte ndarja e tyre nga banorët serbë lokalë.
Policia e Kosovës njoftoi në mbrëmjen e së hënës se ka arrestuar 5 persona, që dyshohen se morën pjesë në sulmet dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: